Një taksist 66-vjeçar bjellorus është sulmuar brutalisht në Wrocław të Polonisë nga një pasagjer, pasi ky i fundit kuptoi nga theksi se drejtuesi i mjetit ishte i huaj. Sipas policisë polake, pasagjeri 23-vjeçar fillimisht nisi të fyente dhe ofendonte taksistin për shkak të origjinës së tij. Situata më pas u përshkallëzua në dhunë fizike.

I riu mori një shishe dhe e goditi 66-vjeçarin në kokë, duke e plagosur. Pas sulmit ai tentoi të largohej nga vendngjarja, por u identifikua dhe u ndalua nga autoritetet.

Policia e Wrocławit e ka cilësuar ngjarjen veçanërisht serioze për shkak të motivit të dyshuar të sulmit, duke theksuar se dallimet kombëtare, kulturore apo gjuhësore nuk mund të shërbejnë në asnjë rrethanë si justifikim për dhunën. 23-vjeçari tashmë përballet me drejtësinë dhe nëse shpallet fajtor, rrezikon një dënim deri në pesë vjet burg.