Një djalë 14-vjeçar nga Skocia ka ka nxjerrë nga deti një peshk gjigant rreth 88 kilogramë. Sipas mediave britanike, kjo mund të jetë një nga kapjet më të mëdha të realizuara ndonjëherë nga një fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar.

Henry Ralph, i cili sapo kishte mbushur 14 vjeç, e kapi peshkun gjatë hedhjes së parë të grepit pranë Obanit, në Skoci. Fillimisht ai mendoi se kishte ngecur në një masë algash, por pak çaste më vonë peshku nisi të lëvizte me forcë, duke e tërhequr pothuajse drejt ujit.

Adoleshenti luftoi për rreth dy orë për ta afruar peshkun në breg. Për shkak të përmasave të tij, ai nuk mund të peshohej me peshore, ndaj pesha u llogarit nga eksperti i peshkimit Michael Hannah përmes formulave të përdorura për raste të tilla. Peshku rezultoi rreth 2.06 metra i gjatë dhe rreth 1.75 metra i gjërë.

Pas fotografive, Henry dhe guida e tij e kthyen peshkun në det pa i shkaktuar dëmtime. “Kur e pashë pranë bregut, mbeta i habitur nga madhësia e tij. Ishte beteja e jetës sime, por nuk doja ta lija të ikte”, tha 14-vjeçari, i cili merret me peshkim që prej moshës tetëvjeçare.