Një projekt i kompozitorit Sir Karl Jenkins, që pasqyron tmerrin dhe tragjedinë e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, ka zënë vendin e parë në sondazhin më të madh vjetor të muzikës klasike në botë. “The Armed Man: A Mass for Peace” është shpallur vepra më e pëlqyer në Classic FM Hall of Fame 2026, pas afro 90 mijë votash nga publiku. Rezultati u bë i ditur nga prezantuesi Dan Walker.

Kompozitori 82-vjeçar e cilësoi këtë arritje si “kënaqësi të madhe”, duke u bërë kompozitori i parë i gjallë që arrin vendin e parë në këtë sondazh. Në një intervistë për BBC Radio Wales, ai u shpreh me humor se “është më mirë ta marrësh çmimin sa je gjallë, sesa pasi të kesh vdekur”. Kjo vepër korale, e krijuar në vitin 2000 dhe e dedikuar viktimave të Luftës në Kosovë, pasqyron dhimbjen dhe shkatërrimin që konflikti i shkaktuar nga Serbia la pas në Kosovë.