Këngëtari i njohur i muzikës R&B, Peabo Bryson, ka pësuar një goditje në tru dhe aktualisht ndodhet nën kujdes mjekësor. Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate të përfaqësuesve të artistit, të cilët konfirmuan se fituesi i dy çmimeve Grammy po merr trajtimin e nevojshëm.

Në deklaratë thuhet se Bryson, i njohur si zëri i këngëve fituese të Oscar-it nga filmat Disney, po përballet me këtë sfidë shëndetësore, ndërsa familja ka kërkuar respektimin e privatësisë gjatë kësaj periudhe të vështirë. Gjithashtu, familjarët falënderuan miqtë dhe fansat për mbështetjen, lutjet dhe mesazhet e tyre.

75-vjeçari është një nga emrat më të njohur të muzikës soul dhe R&B. Ai fitoi famë ndërkombëtare falë dueteve të suksesshme si kënga Beauty and the Beast me Celine Dion dhe A Whole New World me Regina Belle, të cilat u bënë kolona zanore të filmave të famshëm Disney.

Karriera e Bryson nisi në vitet 1970 dhe përfshin një sërë hitesh të njohura si “Feel the Fire”, “Reaching for the Sky”, “If Ever You’re in My Arms Again” dhe “Can You Stop the Rain”. Për dekada me radhë ai ka qenë një nga zërat më të vlerësuar të muzikës romantike amerikane.

Ende nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi gjendjen e tij shëndetësore. Fansat në mbarë botën po shprehin mbështetjen dhe urimet për shërim të shpejtë të artistit të dashur.