Pep Guardiola duket se është pajtuar me bashkëshorten e tij Cristina Serra, nga e cila ishte ndarë vitin e kaluar pas më shumë se 30 vitesh së bashku dhe 10 vitesh martesë.
Prania surprizë e sipërmarrëses spanjolle në Etihad Stadium, me rastin e ndeshjes së fundit të teknikut në pankinën e Manchester City, u zbulua nga vetë Guardiola në fjalimin e tij emocionues të lamtumirës për tifozët, të mbajtur në mes të fushës pas fishkëllimës finale të humbjes 2-1 ndaj Aston Villa. Më pas Cristina u shfaq edhe në foton familjare të publikuar në rrjetet sociale.
Guardiola, fjalët prekëse për familjen: aty ishte edhe Cristina.
Në tribuna dhe në foto ishte i pranishëm edhe babai i Pepit, Valenti Guardiola, dhe pikërisht referimi ndaj prindit të moshuar ia dridhi zërin trajnerit katalanas 55-vjeçar kur ngriti sytë drejt sektorit ku ndodhej ai: “Dje babai im, që është këtu në tribunë, mbushi 95 vjeç… wow! – tha Guardiola mes ovacioneve të tifozëve, duke u emocionuar më pas kur përmendi bashkëshorten dhe fëmijët
– Ndoshta ai nuk e kupton, por jam mjaft i sigurt se Cris, një grua e jashtëzakonshme, dhe fëmijët e mi do ta kuptojnë pas shumë, shumë vitesh se emri i familjes sime do të mbetet këtu për shumë, shumë vite dhe ky është një nder i jashtëzakonshëm që mund të marr nga ky klub”.
Referimi i teknikut ishte për “North Stand”, Tribunën Veriore të Etihad Stadium (që është marrë me qira nga City në vitin 2003 për 250 vite), e cila do ta bëjë të përjetshëm emrin e teknikut Guardiola në Manchesterin “Blue Sky”. Tribuna, e zgjeruar dhe rikonstruktuar së fundmi, do të quhet tani e tutje “The Pep Guardiola Stand”.
Si pjesë e homazhit, do të realizohet edhe një statujë e Pepit në hyrje të atij sektori. Njoftimi u bë tre ditë më parë, pikërisht me rastin e largimit të trajnerit që në 10 vite fitoi gjithçka me klubin mancunian.
Pep e Cristina, historia e një dashurie të madhe më shumë se 30 vite
Ishte viti 2016 kur Guardiola u transferua nga Bayern Munich te Manchester City: dy vite më parë ai ishte martuar me gruan e jetës së tij, Cristina-n, disa vite më të re se ai.
Të dy ishin njohur në vitin 1994, kur Pep ishte rreth 23 vjeç, në butikun e modës të familjes së saj në Barcelona, ku ai punonte si model për Antonio Miro. Ata qëndruan së bashku për më shumë se 30 vite, duke u martuar më 29 maj 2014 në një ceremoni private në Katalonjë pas 20 vitesh bashkëjetesë, nga e cila lindën tre fëmijët e tyre: Marius, Maria dhe Valentina.
Një marrëdhënie shumë solide që fillimisht u kris dhe më pas u prish në janar të vitit 2025, me njoftimin e ndarjes. Arsyet për të cilat kishin folur mediat ishin distanca (Cristina jetonte në Barcelonë për punën e saj në modë, Pep në Manchester) dhe angazhimi intensiv i trajnerit në pankinë në Angli.
Në prill të vitit 2025 kishte pasur shenja paqeje: çifti kishte kaluar tre ditë së bashku në Barcelonë për Pashkë, ndërsa të dy vazhdonin të mbanin unazën e martesës dhe flitej për një tentativë pajtimi, me Pepin gati të fluturonte një herë në javë drejt shtëpisë së tyre në Katalonjë.
