I ftuar në episodin e radhës në podkastin “Flet” me Ilnisa Agollin në Top Channel dhe Top Albania Radio ka qenë Ermal Fejzullahu, një nga këngëtarët dhe artistët me të njohur në Shqipëri dhe Kosovë. Ai ka fituar një vend të veçantë në muzikën shqiptare falë stilit të tij të veçantë dhe këngëve të paharrueshme që nga pjesëmarrja në Top Fest e deri më sot. Në këtë intervistë ai foli më shumë për fëmijërinë, familjen por edhe për marrëdhënien e ngushtë me babain e tij…

Pjesë nga intervista:

Unë di që emri yt do të ishte Dritëro dhe jo Ermal, çfarë është kjo histori?

Rushdi Fejzullahu ka qenë xhaxhai im i ndjerë, kishte një dyqan këpucësh por ishte edhe shumë i dhënë pas letërsisë. Shkrimtari i tij i preferuar ka qenë Dritëroi, dhe donin të ma vinin, por vetëm 3-4 ditë e kam mbajtur këtë emër sepse isha i pa regjistruar akoma.

Po kush ta ndryshoi emrin?

Nuk e di mirë, besoj se Sabriu ose nëna. Por edhe emri Ermal lidhet me historinë sepse ka qenë viti ‘88 edhe kishte luftë në Kosovë, vinte era luftë, vinte era mal dhe më pas Ermal.

Cili është pengu që të ka mbetur peng nga rinia jote?

Më ka ngelur peng që jam rritur para kohe për shembull nëna ime thotë ‘ma mori djalin muzika’. Kisha kontakt të pandalur me publikun por ndërkohë isha edhe në shkollë, i merrja librat me vete. Unë jam rritur që fëmijë me frymën e muzikës. /TAR/