Një nuse është vënë në qendër të kritikave në rrjetet sociale pasi u kërkoi të ftuarve të paguanin 250 dollarë për të marrë pjesë në dasmën e saj ndërsa disa prej tyre do të flinin në dyshekë me ajër dhe në dhoma të përbashkëta. Rasti u bë viral pas publikimit të një ftese në Reddit nga një përdoruese me emrin littlemamabel, e cila pretendon se është edhe shoqëruesja kryesore e nuses (maid of honor). Sipas saj, çifti kishte organizuar ceremoninë në një Airbnb që do të shërbente njëkohësisht si vendqëndrim, ambient i dasmës dhe pritjes.

“Sipas planit, dasma do të mbahet të hënën, ndërsa të ftuarve u është kërkuar të mbërrijnë të dielën dhe të largohen të mërkurën. Pagesa prej 250 dollarësh mbulon Airbnb-n, ushqimin dhe pijet për gjithë qëndrimin”, shkroi ajo në Reddit. Megjithatë, një nga detajet që ka shkaktuar më shumë reagime është fakti se pagesa kërkohet pavarësisht kohës së qëndrimit, ndërsa jo të gjithë të ftuarit kanë hapësirë private për fjetje.

“Unë dhe partneri im do të duhej të flinim në një dyshek me ajër në një dhomë me persona të tjerë që do të flinin në krevate marinari”, shkroi përdoruesja. Sipas saj, çifti ka kërkuar që të ftuarit të mos sjellin dhurata dasme, por në vend të tyre të kontribuojnë për muajin e mjaltit.