Dëmtimi i radhës nuk e ka penguar Neymar-in të bëhet protagonist absolut, këtë herë jashtë fushës së blertë. Sulmuesi brazilian i Santosit është përfshirë në një sherr të ashpër verbal me tifozët e Atletico Mineiro-s gjatë sfidës së parë çerekfinale të Copa Sudamericana 2026, të cilën skuadra e tij e fitoi me rezultatin 2-0. I detyruar ta ndiqte takimin nga tribuna VIP e stadiumit “Vila Belmiro” për shkak të një problemi muskulor në kofshë, 34-vjeçari ra pre e koreve fyerëse të tifozëve miq, të cilët e goditën pikërisht te pika e tij më e dobët: brishtësia fizike.
Reagimi i yllit brazilian ishte i menjëhershëm dhe provokues. Me një buzëqeshje ironike, ai u kthye drejt sektorit të tifozëve kundërshtarë duke u bërtitur: “Edhe me një gju, unë luaj më mirë se të gjithë lojtarët e skuadrës suaj!” Përplasja nuk përfundoi me kaq, pasi nga goja e “O’Ney” pasoi edhe një tjetër thumbim i fortë: “Unë nuk luaj kundër skuadrave të vogla!” Pamjet e kapura nga telefonat e të pranishmëve u bënë menjëherë virale në rrjetet sociale. Sidoqoftë, ky episod ka ndezur sërish debatin në Brazil mbi gjendjen psikologjike dhe fizike të sulmuesit.
Kalvari i gjatë i dëmtimeve që nga këputja e ligamentit në tetor 2023 e deri te problemet e sotme muskulore ka ulur drastikisht minutazhin e tij te Santosi. Në sfond mbetet edhe marrëdhënia komplekse me kombëtaren braziliane nën drejtimin e Carlo Ancelottit, i cili ka kërkuar vazhdimësi në fushë për të siguruar ftesën.


