Një çështje e rëndë penale ka tronditur opinionin publik në Francë, ku një hipnoterapist 47-vjeçar po gjykohet nën akuzat për drogim dhe përdhunim serial të grave gjatë një periudhe mbi dhjetëvjeçare. I pandehuri, i cili ushtronte edhe profesionin e mësuesit të vallëzimit, dyshohet se ka abuzuar seksualisht me të paktën 14 gra dhe ka filmuar pa pëlqimin e tyre dhjetëra raste.

Sipas hetimeve, rasti u zbulua pas kallëzimit të një gruaje të re, e cila deklaroi se pas një seance hipnoze kishte humbur ndjenjat dhe më pas kishte dyshime të forta se ishte abuzuar. Analizat mjeko-ligjore dhe provat biologjike çuan në identifikimin e të dyshuarit, ndërsa hetimi u zgjerua duke nxjerrë në pah edhe viktima të tjera.

Prokuroria pretendon se i pandehuri u hidhte qetësues në pije grave, shpesh persona që i njihte ose me të cilat kishte marrëdhënie miqësore. Viktimat kanë deklaruar se zgjoheshin të hutuar dhe pa kujtime të qarta, ndërsa ai përpiqej t’ua shpjegonte gjendjen si pasojë e hipnozës ose konsumit të alkoolit.

Gjatë kontrollit në banesë dhe pajisjet elektronike, policia gjeti foto dhe video ku gratë shfaqeshin në gjendje gjysmë të pavetëdijshme. Analizat e gjakut dhe flokëve të disa viktimave treguan praninë e substancave qetësuese.

I akuzuari ka pranuar një pjesë të akuzave dhe ndodhet në paraburgim prej pesë vitesh. Procesi gjyqësor po zhvillohet me dyer të mbyllura në Aix-en-Provence dhe pritet të zgjasë disa javë, për shkak të numrit të madh të provave dhe dëshmive.