Virginia Giuffre kishte frikë se mund të “vdiste si skllave seksi” në duart e Jeffrey Epstein dhe rrethit të tij. Kështu zbulon libri me kujtime pas vdekjes së saj.
“Nobody’s Girl” do të publikohet të martën, ndërkohë BBC raporton se në të, Giuffre thotë se ka bërë tri herë marrëdhënie seksuale me Princin Andrew, ku në një rast përfshihej Epstein dhe tetë vajza të reja.
Andrew dhe Giuffre arritën një marrëveshje financiare në vitin 2002, por ai ka mohuar të ketë shkuar me të. Epstein dhe ish-e dashura e tij, Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim 20-vjeçar në burg, orkestronin gjithçka.
Giuffre thotë në libër se edhe pas dekadash nga ajo periudhë, kujton sesa u frikësohej të dyve. Ajo përshkruan në detaje abuzimin sadist që përjetonte nga Epstein. Sipas saj, ai e detyronte të bënte seks sadomazokist që i shkaktonte “kaq shumë dhimbje sa i binte të fikët.”
Princi Andrew tha të premten se do të hiqte dorë nga titujt e tij mbretërorë dhe kalorsiakë. Libri i Giuffre vë në diskutim deklaratat e tij se nuk ka bërë asgjë. Ajo thotë se e takoi Princin për herë të parë në mars 2001.
Maxwell e zgjoi dhe i tha se do të ishte “një ditë e veçantë” dhe “ashtu si Hirushja” do të takonte një “princ të pashëm.” Giuffre e takoi Andrew po atë ditë dhe Maxwell i kërkoi atij të hamendësonte moshën e saj.
Asokohe princi ishte 41 vjeç dhe “e gjeti saktë: 17. Vajzat e mia janë pak më të vogla se ti”, i tha ai. Atë natë ajo, Epstein dhe Maxwell ishin në klubin Tramp në Londër ku princi “djersiste shumë”. Ndërsa ktheheshin në shtëpinë e Maxwell, ajo i tha: “Kur të shkojmë në shtëpi, duhet të bësh me të atë që bën me Jeffrey.” Atje kryen marrëdhënie.
“Në vitet e mia me ta, ata më lanë në duart e njerëzve të pasur, të pushtetshëm. Përdoresha dhe poshtërohesha në mënyrë sistematike, në disa raste më mbysnin, rrihnin dhe gjakosnin. Besoja se mund të vdisja si skllave seksi”, thuhet në libër.
Epstein u shpall fajtor në vitin 2008 në Florida për prostitucion të miturish. Ai vdiq në burg në vitin 2019 ndërsa priste dënimin.
Po atë vit, Princi Andrew tha se nuk kujtonte “aspak” të ishte takuar me Giuffre dhe “nuk kishin pasur kurrë asnjë kontakt seksual”.