Ndërsa po ndiqte një ndeshje futbolli amerikan, Robbie Williams kuptoi se nuk mund t’i dallonte më lojtarët në fushë. Rrëfimi thellësisht i alarmuar i këngëtarit fillon me fjalët:
Po shihja vetëm njolla jeshile në një sfond të gjelbër.
Besonte se ky perceptim jonormal, nuk mund t’i atribuohej thjesht moshës, por lidhej me ilaçet për humbje peshe që po merrte.
Mendoj se janë injeksionet. Dhe po, jam aq i fiksuar me këtë trajtim sa ndoshta do të vazhdoj derisa të humbas shikimin në njërin sy.
U shqetësua kur iu drejtua një okulisti, duke zbuluar se receta e tij kishte ndryshuar ndjeshëm dhe u detyrua të ndërronte syzet, por pavarësisht kësaj vazhdon të ketë gjithnjë e më shumë vështirësi edhe gjatë koncerteve, deri në atë pikë sa nuk është në gjendje as ta shohë qartë publikun.
Fjalët e Williams-it e ripërqendrojnë vëmendjen te ndërlikimet e mundshme të shikimit, që lidhen me ilaçet GLP-1 si tirzepatidi dhe semaglutidi. Në disa vende, autoritetet shëndetësore po monitorojnë raportet e neuropatisë së nervit optik, një gjendje e rrallë por potencialisht e rrezikshme nëse nuk njihet menjëherë. Ekspertët ende nuk pajtohen për një marrëdhënie të drejtpërdrejtë shkak-pasojë, por raportimet janë të mjaftueshëm për të justifikuar kujdesin.
Një mesazh për fansat: Bëni kërkimin tuaj!
Pavarësisht shqetësimit dhe përkeqësimit të shikimit, artisti nuk ka ndërmend të ndërpresë menjëherë trajtimin, sepse obsesioni është më shumë se frika e humbjes së dritës së syve. Williams sqaron se nuk dëshiron t’i demonizojë këto trajtime: përkundrazi, i nxit njerëzit të edukohen me kujdes para se të fillojnë një terapi kaq të fuqishme dhe që përhapet me shpejtësi. Mbi të gjitha, qëllimi është të rrisë ndërgjegjësimin për efektet anësore të mundshme dhe rëndësinë e konsultimit me profesionistë të kualifikuar para se të përdoren ilaçe për humbje peshe.




