YouTube ka mbyllur një kanal të dyshuar si pro-Iran, i cili publikonte video të krijuara me inteligjencë artificiale për të tallur presidentin amerikan Tramp dhe për të përhapur narrativë pro-iraniane në rrjetet sociale.

Kanali, i njohur si Explosive Media, u bë viral pasi publikoi video në stil LEGO të gjeneruara me AI, ku përfshihej edhe një këngë rap që lidhej me pretendime ndaj Tramp dhe çështjen Epstein, duke grumbulluar miliona shikime në pak kohë.

Pas këtij shpërthimi viral, YouTube ndërhyri duke e mbyllur kanalin, duke e justifikuar vendimin me shkelje për përmbajtje të dhunshme.

Megjithatë, administratorët e kanalit kanë reaguar duke e kundërshtuar vendimin dhe duke deklaruar se videot e tyre nuk përmbajnë dhunë reale, por janë thjesht animacione.

Ndërkohë, videot vazhdojnë të qarkullojnë në platforma të tjera sociale, duke mbajtur gjallë debatin mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në luftën e propagandës online.