Aktorja turke Su Burcu Yazgı Coşkun ka rikthyer vëmendjen te jeta e saj private, pas zërave që e lidhën së fundmi me këngëtarin shqiptar Butrint Imeri. Një deklaratë e bërë gjatë një interviste në televizionin italian ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet rreth kësaj historie. E ftuar në emisionin “Verissimo”, aktorja u pyet për statusin e saj të dashurisë dhe u shpreh se aktualisht nuk është në një lidhje.
Gjatë bisedës, vëmendja u përqendrua edhe te një fotografi e publikuar më herët në rrjetet sociale, ku ajo shfaqej pranë një mashkulli, identiteti i të cilit mbeti mister. Su Burcu sqaroi se personi në fjalë kishte qenë partneri i saj, por marrëdhënia mes tyre tashmë i përket së kaluarës.
Kjo deklaratë ka rikthyer në diskutim aludimet për një afërsi të mundshme me Butrint Imerin. Pak ditë më parë, aktorja publikoi një video ku shihej edhe dora e një mashkulli, ndërsa tatuazhi i dukshëm në të bëri që ndjekësit të dyshonin se bëhej fjalë për këngëtarin shqiptar.
Pamjet u shpërndanë me shpejtësi, duke nxitur spekulimet për një romancë mes tyre. Megjithatë, intervista e fundit e aktores nuk dha një përgjigje të qartë për këtë çështje. A ishte Butrint Imeri personi misterioz që ajo përmendi, apo bëhet fjalë për dikë tjetër? Për momentin, kjo mbetet e paqartë, pasi asnjëri prej tyre nuk ka konfirmuar publikisht një lidhje sentimentale.



