Këngëtari i famshëm, Justin Timberlake, ka ngritur një padi në Gjykatën e Lartë të Qarkut Suffolk për të ndaluar publikimin e pamjeve nga momenti i arrestimit të tij për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Sipas “People” ai pretendon se publikimi i videos do t’i shkaktonte “dëm serioz dhe të pariparueshëm” reputacionit të tij personal dhe profesional.
Timberlake u arrestua më 18 qershor 2024 në New York, pasi u ndalua nga policia nën dyshimin për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Fillimisht, ai u akuzua për drejtim në gjendje të dehur, shkelje të shenjës së ndalimit dhe mosmbajtje të korsisë. Sipas raportit të policisë, këngëtari kishte deklaruar se kishte pirë “një martini” dhe po ndiqte miqtë për në shtëpi. Oficerët raportuan se sytë e tij ishin “të kuq dhe të përlotur”, ndërsa ai refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit.
Në shtator 2024, artisti pranoi të deklarohej fajtor për një akuzë më të lehtë, duke paguar një gjobë prej 500 dollarësh. Ai u urdhërua të kryejë 25 orë shërbim komunitar, t’i hiqej leja e drejtimit për 90 ditë dhe të marrë pjesë në një fushatë ndërgjegjësuese për rreziqet e drejtimit nën ndikimin e alkoolit.

Në padinë e paraqitur më 2 mars, avokatët e tij argumentojnë se publikimi i pamjeve do të shkelte privatësinë e tij dhe do të zbulonte detaje personale, përfshirë informacione të ndjeshme për të dhe familjen e tij. Ata i kanë kërkuar gjykatës të lëshojë një urdhër urgjent për të ndaluar shpërndarjen e videos, të plotë ose të pjesshme, pa miratim gjyqësor.