Moderatorja e njohur, Erjola Doçi, ishte një ditë më parë në studion e “She’s on Air”, në Top Albania Radio. Në një moment, asaj i kujtuan periudhën kur ka qenë brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP 3”.
Në atë kohë, ish-banorja tregoi një histori mjaft personale, dhunën nga ish-partneri i saj.
Pjesë nga intervista:
Ke zbuluar se ishe dhunuar nga ish-partneri dhe se nga dhuna e tij e ke gjetur veten në dyert e spitalit. Çfarë të shtyu t’a bëje publike këtë gjë?
Dëgjo, në Big Brother vendos të flasësh sepse e ndjen të flasësh. Akumulohen ndjesitë dhe patjetër që vjen kjo gjë. Je shumë më emocionale dhe empatike. Por gjithsesi unë do të thoja se më ka bërë më të fortë.
A je penduar?
Jo, më ka zhveshur nga emocionet përballë publikut, kështu që gjërat ndodhin për një arsye. Nuk është klishe kjo fjala sa është reale. Ishte e shkruar që të ndodhte ashtu dhe unë patjetër që aty do të hyja me defektet dhe të mirat e mia. Nuk do të tregoja vetëm gjërat e mira, por edhe ato jo perfeksion.
Unë mendoj se ka qenë edhe një mesazh që u ke dhënë vajzave, pasi është përhapur shumë dhuna ndaj tyre.
Patjetër.
Brenda teje, në momentin që fillove t’a thoje me zë të lartë, edhe e dije që të gjithë do t’a dëgjonin, si ishte kjo ndjesia?
Në momentin që ti rrëfen jetën tënde personale, futesh në një dhomë dhe vetëm flet. Duket sikur po flet me muret ose me një zë që është aty duke të të dëgjuar dhe shprehesh. Problematika qëndron se e kam shprehur edhe te dhoma e rrëfimit, kur ti e sheh atë që sapo ke nxjerrë. Aty mu duk sikur po fliste një vajzë tjetër dhe thashë ‘sa e vështirë qenka të dëgjosh jetën tënde personale’. Por çfarë ndodh? Është shumë e mirë se ti përballesh me jetën tënde, frikërat, me dilemat. Kur përballesh nuk të depërton më gjë.

