Përplasja e Brooklyn Beckham me familjen e tij është prej disa kohësh në qendër të vëmendjes së medias dhe publikut. E teksa po komentohet shumë ky sherr i familjes së famshme, ka ndodhur një e papritur: një këngë e vjetër e vitit 2001 rikthehet në krye të klasifikimeve, shkruan “La Stampa”.

Mes akuzave të ndërsjella për martesën me Nicola Peltz, tensioneve të brendshme dhe peshës së rëndë të “markës familjare”, rikthimi i suksesshëm “I Posh Spice” merr konturet e një paradoksi mediatik. Është e vështirë të përcaktohet nëse bëhet fjalë për një gjest solidariteti nga fansat apo për kureshtje, por një gjë është e sigurt: kriza familjare është shndërruar në një rast tregtar me ndikim të madh.

Ndërsa klani Beckham përballet me atë që shtypi britanik e ka quajtur tashmë “java e tmerrshme”, një tregues tregu përmbys gjithçka. Më shumë se njëzet vjet pas debutimit të saj solo, Victoria rikthehet të ngjitet në klasifikimet e shitjeve me “Not Such an Innocent Girl”, një këngë që dukej e mbetur vetëm në nostalgjinë e fillimviteve 2000.

Megjithatë, ajo që në pamje të parë mund të duket si një homazh dashurie, shfaqet si një fenomen mediatik më kompleks: një përzierje mes rizbulimit nostalgjik, polarizimit të publikut dhe vëmendjes që në kulmin e një konflikti familjar të paprecedentë, ka rikthyer dritat e vëmendjes mbi karrierën muzikore të “Posh Spice”.

Nga kriza familjare te bum-i tregtar

Sa më shumë zgjerohet përçarja familjare, aq më shumë rritet vëmendja dhe bashkë me të edhe fitimet. Platformat e transmetimit regjistrojnë një rritje të ndjeshme të dëgjimeve, rrjetet sociale nxjerrin nga arkivat video të Spice Girls dhe fansat, të vjetër e të rinj, duket se i rikthehen Victorias jo aq si nënë apo sipërmarrëse, por si ikonë pop.

Një mekanizëm tashmë i njohur në epokën e infotainment-it: konflikti shet, brishtësia ngjall kureshtje, nostalgjia krijon besnikëri. Në këtë kontekst, grindja e familjes Beckham shndërrohet në një serial global, ku çdo kapitull ushqen ekonominë e vëmendjes.