Reperi kosovar Buta, emri i vërtetë Betim Januzi, është arrestuar nga Policia e Kosovës pas një incidenti të rëndë të ndodhur në Ferizaj.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 11 prillit, rreth orës 20:25, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, pranë zonës së njohur si Eurogjigant, ku policia mori informacion për një përleshje fizike në zhvillim.
Menjëherë pas njoftimit, njësitë policore kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se, përveç përleshjes mes dy personave, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri.
Sipas autoriteteve, një person ka mbetur i lënduar si pasojë e përleshjes fizike dhe jo nga arma e zjarrit. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe tri gëzhoja.
Pas ngjarjes, një person është shoqëruar në polici, ndërsa i dyshuari tjetër është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Hetimet po vijojnë nga njësitë e hetimit dhe forenzikës.
Kujtohet se Buta ishte arrestuar edhe në shtator të vitit të kaluar, pas një kontrolli policor në Ferizaj. Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndaj tij kishte dyshime për posedim të paautorizuar të substancave narkotike të dyshuara si kokainë dhe marihuanë, me qëllim shitjeje ose shpërndarjeje, si dhe për armëmbajtje pa leje.

