Gazetari dhe prezantuesi Piers Morgan ka habitur me një rrëfim të fortë, duke treguar se personi më i frikshëm që ka intervistuar ndonjëherë nuk ishte një figurë e njohur si Kanye West apo Andrew Tate, por një e dënuar për vrasje, Erin Caffey.

Gjatë viteve 2010, Morgan realizoi emisione të dedikuara për krime, ku intervistonte persona të dënuar në burgje.

Një nga rastet që e ka tronditur më shumë ishte takimi me Erin Caffey, të cilën ai e përshkruan si personin më të rrezikshëm që ka njohur ndonjëherë.

Historia e saj është rrëqethëse: në moshën vetëm 16-vjeçare, ajo bindi të dashurin dhe një mik të tij që të vrisnin familjen e saj, pasi prindërit nuk e lejonin lidhjen.

Ata hynë në shtëpi të armatosur, duke vrarë nënën dhe dy vëllezërit e saj të vegjël, ndërsa babai mbijetoi i plagosur rëndë.

Piers Morgan u shpreh se gjatë intervistës nuk arriti të kuptonte motivin e këtij krimi, duke e cilësuar atë si një nga përvojat më të frikshme në karrierën e tij.

Nga ana tjetër, Erin Caffey ka deklaruar më vonë se nuk e kupton dot veprimin e saj dhe e konsideron atë një gabim të rëndë, duke theksuar se nuk kishte përjetuar abuzime në familje.

Ajo u dënua me të paktën 40 vite burg, duke shmangur dënimin me vdekje pasi babai i saj kërkoi falje për të, duke besuar se ishte ndikuar nga i dashuri dhe duke shpresuar në pendimin e saj.