Artisti i njohur, Shemsi Krasniqi, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në Prishtinë pasditen e djeshme. Sipas raportimeve, rrethanat e ngjarjes janë të trazuara dhe ende po hetohen nga autoritetet.

Ngjarja ka nisur kur një grua, me inicialet F.B., që ishte angazhuar për të pastruar shtëpinë e të ndjerit, ka vënë re një përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore të Krasniqit. Ajo ka tentuar t’i japë ndihmën e parë, por kur ka dalë për të marrë ujë, dera e banesës është mbyllur dhe nuk ka mundur të kthehet më brenda. Kjo ka detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë, e cila ka hapur derën me forcë.

Sipas “Sinjalit”, kur ka mbërritur Njësia e Emergjencës, ka konstatua se artisti kishte ndërruar jetë. Hetuesit dhe specialistët e Mjekësisë Ligjore kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Sipas hetimeve fillestare, nuk janë gjetur shenja dhune në trupin e Krasniqit.

Një detaj që ka tërhequr vëmendjen është gjetja e një pakete të zbrazët të një pilule për stimulim seksual në xhepin e xhaketës së viktimës, e cila ka ngritur dyshime të mundshme për një infarkt të mundshëm, si pasojë e përdorimit të këtij bari.

Në përputhje me procedurat, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, dhe trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi për të sqaruar më tej shkaqet e vdekjes.