Melania Trump ka reaguar ashpër ndaj moderatorit të njohur Jimmy Kimmel, duke i bërë thirrje rrjetit televiziv ABC të marrë masa të menjëhershme ndaj tij, madje duke kërkuar edhe largimin nga puna.
Reagimi i saj vjen pas një monologu të transmetuar në emisionin e Kimmel, i cili sipas saj ka kaluar kufijtë e humorit dhe është kthyer në sulm personal ndaj familjes së saj.
Përmes një postimi në platformën X, Melania e cilësoi gjuhën e moderatorit si të rrezikshme dhe përçarëse për shoqërinë amerikane.
Retorika e mbushur me urrejtje dhe dhunë synon të ndajë vendin tonë. Ky nuk është humor, por gjuhë që dëmton dhe thellon krizën politike në Amerikë -u shpreh ajo.
Ajo shtoi se figura të tilla nuk duhet të kenë hapësirë çdo mbrëmje në televizion për të transmetuar mesazhe që, sipas saj, nxisin tensione dhe përçarje.
Në reagimin e saj, Melania e quajti Kimmelin edhe “frikacak”, duke pretenduar se ai mbrohet nga mbështetja e ABC.
Debati shpërtheu pas një komenti të bërë nga Kimmel në prag të White House Correspondents’ Dinner, i cili u konsiderua ofendues nga një pjesë e publikut dhe më pas u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale.
