Një skandal i rëndë ka shpërthyer në Itali, ku një gazetar 48-vjeçar dhe një mësuese liceu 52-vjeçare nga Treviso janë arrestuar nën akuzën për dhunë seksuale ndaj të miturve, prodhim dhe shpërndarje materialesh pedopornografike. Hetimi filloi pas një denoncimi të bërë nga ish-partneri i gruas, pasi vajza e saj kishte zbuluar në kompjuterin e nënës biseda dhe materiale me përmbajtje seksuale që përfshinin të mitur. Sipas hetimeve, në disa prej fotove dhe videove dyshohet se shfaqej edhe vetë vajza e gruas si dhe dy kushërinjtë e saj të vegjël.

Nga analiza paraprake e telefonit të gazetarit janë zbuluar gjithashtu kontakte me persona të huaj dhe shkëmbim materialesh përmes kanaleve të ndryshme të pedopornografisë në platformën Telegram. Autoritetet italiane dyshojnë se mësuesja kishte filmuar në mënyrë të fshehtë vajzën e saj dhe fëmijë të tjerë të familjes, duke i dërguar më pas materialet te partneri i saj. Hetimet kanë zbuluar edhe mesazhe mes dy të dyshuarve ku flitet për një koleksion fotografish me përmbajtje të rëndë.

Ngjarja doli në dritë kur vajza e gruas, gjatë një vizite në shtëpinë e nënës në Treviso, pa rastësisht bisedat në kompjuter dhe kuptoi se ishte përfshirë në materialet që shkëmbeheshin mes të dyve. Ajo arriti të fotografonte bisedat me telefon dhe t’i dërgonte te njerka e saj, e cila këshilloi menjëherë që rasti të denoncohej.

Pas dëshmisë së vajzës dhe kontrolleve në pajisjet elektronike të sekuestruara, policia arrestoi të dyshuarit. Gazetari u ndalua në stacionin Termini në Romë dhe ndodhet aktualisht në burgun Rebibbia, ndërsa mësuesja është në paraburgim në Venecia.

Prokuroria po shqyrton mundësinë që dosja e hetimit të transferohet në prokurorinë e Venecias, për shkak të vendit ku dyshohet se janë kryer një pjesë e krimeve. Të dy të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës për marrjen në pyetje gjatë kësaj jave.