Një shtetas argjentinas, Gianfranco Gaspar Núñez, është akuzuar për shfrytëzim seksual në mjedise digjitale nga Gjykata Federale e Rosario-s, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse ka edhe viktima të tjera. I dyshuari u ofronte para grave për të realizuar video me përmbajtje intime, duke u premtuar se materialet nuk do të publikoheshin në Argjentinë.

Megjithatë, videot janë shpërndarë në platforma të hapura, pa kufizime territoriale dhe me përfitim financiar. Sipas hetimeve, ai rekrutonte vajza të reja, ekonomikisht të cenueshme, kryesisht deri në moshën 22 vjeç, nga zona të ndryshme të vendit.

Pasi fitonte besimin e tyre, i çonte në një apartament të marrë me qira, ku pas nënshkrimit të një formulari pëlqimi, regjistronte materiale që më pas publikoheshin. Rasti u denoncua më 12 shtator 2024 nga prokuroria për trafikimin dhe shfrytëzimin e personave, pasi një prej viktimave zbuloi se videoja e saj ishte shpërndarë dhe parë në qytetin e saj të lindjes, Posadas.

Sipas akuzës, pagesa e vetme për viktimat dhe jo përfitime në bazë të të ardhurave nga publikimi – përbën një formë të trafikimit të qenieve njerëzore të përshtatur në mjedisin digjital. Deri më tani janë identifikuar gjashtë viktima, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar raste të tjera të mundshme. Zyrtarisht, ndaj Gianfranco Gaspar Núñez rëndojnë tetë akuza për trafikim për qëllime shfrytëzimi. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me deri në 12 vite burg, sipas ligjit në Argjentinë.