Një konflikt i ashpër familjar ka përfunduar në gjykatë në Britani, ku drejtuesi i një kompanie po padit ish-bashkëshorten e tij, duke e akuzuar se ka përvetësuar mbi 2 milionë paund nga fondet e biznesit për shpenzime personale. David Edwards, drejtor ekzekutiv i kompanisë së makinerive ushqimore Vortech, pretendon se bashkëshortja e tij e larguar, Vanessa Herron, ka transferuar shuma të mëdha parash nga kompania në llogaritë e saj personale. Paratë, sipas padisë, janë përdorur për blerje rrobash, pagesa faturash personale dhe transaksione të tjera të paautorizuara.

Kompania pretendon se vetëm për rroba dhe artikuj personalë janë shpenzuar mbi 215 mijë paund, ndërsa pjesa tjetër e shumës dyshohet se është maskuar si pagesa ndaj institucioneve shtetërore apo kompanive të ndryshme. Në total, Vortech po kërkon rikthimin e mbi 2.7 milionë paundëve që dyshohet se janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme.

Në padi përfshihet edhe akuza se Herron ka punësuar si financiere një shoqe të sajën, e dënuar më parë për vjedhje financiare, e cila në atë kohë ndodhej në regjim lirimi ditor nga burgu. Po ashtu, pretendohet se kompania ka paguar qiranë mujore të banesës së saj prej rreth 2.700 paundësh që nga viti 2018, por se ajo ka krijuar pagesa të dyfishta për veten, duke përfituar mbi 51 mijë paund.

Akuza të tjera përfshijnë mbipagim të pagës së saj me rreth 72 mijë paund në tre vite, si dhe përdorim të kartave të kreditit të kompanisë dhe të punonjësve të tjerë për përfitime personale, me një vlerë rreth 200 mijë paund. Nga ana e saj, Vanessa Herron i mohon kategorikisht të gjitha akuzat, duke deklaruar se çdo pagesë është bërë me dijeninë dhe miratimin e bashkëshortit të saj dhe se puna e saj në kompani ka ndihmuar në financimin e stilit të shtrenjtë të jetesës së tij.