Platforma e përmbajtjes për të rritur Onlyfans tani ka një drejtuese të re pasi Leonid Radvinsky, miliarderi që e transformoi atë në një gjigant global, vdiq në mars në moshën 43 vjeç, nga kanceri. Trashëgimia sipërmarrëse, tani i kalon gruas së tij, Yekaterina Chudnovsky.

Sipas një dokumenti zyrtar të qeverisë britanike, 42-vjeçarja ka marrë kontrollin e kompanisë mëmë të platformës, Fenix ​​International, duke trashëguar një nga asetet dixhitale më fitimprurëse në botë.

Kush është Yekaterina Chudnovsky? 

Chudnovsky nuk është e re në botën e biznesit, megjithëse më parë ka qëndruar larg vëmendjes së OnlyFans. E diplomuar në Universitetin Northwestern e DePaul, punon si avokate korporatash në një kompani private teknologjike.

Eshtë anëtare e bordeve të Elicio Therapeutics e Immix Biopharma dhe shërben si këshilltare në Fondacionin e Kërkimit të Kancerit të Rrallë. Një burim pranë çiftit i tha më parë Forbes-it se ajo ishte “partnerja de facto e biznesit” e Radvinsky-t. Me Leonidin u martua në vitin 2008 dhe kanë katër fëmijë.

Çfarë kontrollon tani?

Sipas dokumentit britanik, Chudnovsky zotëron të paktën 75% të aksioneve dhe të drejtave të votës së Fenix ​​International. Gjithashtu ka të drejtë të emërojë e shkarkojë shumicën e bordit të drejtorëve të kompanisë.

Kjo përfaqëson kontroll pothuajse të plotë mbi një platformë që gjeneroi afërsisht 1.5 miliardë dollarë të ardhura dhe mbi 700 milionë dollarë fitime vitin e kaluar. Më 2024-ën, faqja, e cila mban 20% të fitimeve të krijuesve, regjistroi 7.2 miliardë dollarë në transaksione bruto, me 4.6 milion llogari aktive.

Vlera e pasurisë 

Në kohën e vdekjes së tij, Forbes vlerësoi pasurinë neto të Radvinsky-t në 4.7 miliardë dollarë, pothuajse tërësisht e lidhur me aksionet e veta në Fenix. Në Mbretërinë e Bashkuar ka rregulla të rrepta për verifikimin e moshës së përdoruesit, ndërsa në SHBA, bankat kanë paraqitur raporte të dyshimta aktiviteti në lidhje me OnlyFans dhe faqen e mëparshme të kamerave të Radvinsky-t, MyFreeCams, që përfshijnë mbi 1 miliard dollarë në transaksione që nga viti 2009.