Momente paniku janë regjistruar në një plazh në Venecia, pasi kalimtarët kanë raportuar një trup të pajetë të shtrirë në rërë, duke vënë në lëvizje forcat e emergjencës. Ngjarja ndodhi në zonën e Lidos, ku një burrë i zhveshur dhe i mbuluar plotësisht me bojë të bardhë u pa i shtrirë pa lëvizur, duke krijuar dyshime se mund të ishte një viktimë.

Pas mbërritjes së policisë dhe personelit të urgjencës, situata mori një kthesë të papritur, pasi burri u ngrit në këmbë dhe rezultoi të ishte pjesë e një performance artistike.

Ai, një artist me origjinë nga Genova, shpjegoi se veprimi ishte një formë proteste për të zgjuar reagimin e njerëzve dhe për të kritikuar indiferencën e shoqërisë moderne. Megjithatë, autoritetet po shqyrtojnë rastin për shkak të alarmit të shkaktuar, pasi performanca nuk ishte njoftuar paraprakisht dhe mund të konsiderohet si krijim paniku publik.