Reperi i famshëm, Drake, ka bërë së fundmi një rrëfim prekës përmes albumit të tij më të ri, “Iceman”. Ai ka zbuluar se babai i tij, Dennis Graham, po lufton me kancerin.

Kanadezi publikoi të premten albumin e shumëpritur, i cili erdhi së bashku me dy projekte surprizë,  “Habibti” dhe “Maid Of Honour”. Në këngën hapëse të albumit, “Make Them Cry”, Drake prek tema personale si fama, presioni, familja dhe shëndeti mendor.

Ndërkohë në fund të këngës, artisti bën deklaratën që tronditi fansat: “Babai im ka kancer tani, po luftojmë me fazat. Më beso kur them se ka shumë gjëra të tjera me të cilat do të preferoja të përballesha”.

Kënga është cilësuar si një nga më emocionalet e albumit, pasi reperi i famshëm flet hapur edhe për ankthin, terapinë dhe peshën e jetës publike. Fansat reaguan menjëherë në rrjetet sociale, duke i dërguar mesazhe mbështetjeje artistit dhe familjes së tij.

Marrëdhënia mes Drake dhe babait të tij ka qenë shpesh e komplikuar ndër vite. Artisti ka folur më parë për divorcin e prindërve dhe ndikimin që kjo ka pasur në jetën dhe muzikën e tij, por vitet e fundit ata duket se kanë rindërtuar raportin mes tyre.

“Iceman” është albumi i nëntë solo në karrierën e Drake dhe vjen pas përplasjes shumë të komentuar me Kendrick Lamar.