Aktori legjendar i Hollivudit, Morgan Freeman, është shprehur hapur kundër përdorimit të inteligjencës artificiale për të imituar zërin e tij pa leje, duke e cilësuar këtë praktikë shqetësuese dhe të padrejtë.

Gjatë një interviste të fundit, ku 88-vjeçari po promovonte filmin e ri “Now You See Me: Now You Don’t”, Freeman pranoi se fakti që zëri i tij replikohet nga AI “e frikëson pak”.

Ai theksoi se, ndryshe nga aktorë të tjerë si James Earl Jones, ai nuk ka dhënë asnjëherë pëlqim që zëri i tij të përdoret ose të rikrijohet nga teknologjia.

Sipas tij, ekipi ligjor ka zbuluar tashmë disa raste ku zëri i aktorit është përdorur në mënyrë të paautorizuar përmes inteligjencës artificiale.

Jam si çdo aktor tjetër. Mos më trajtoni sikur s’jam. Nuk e vlerësoj këtë dhe unë paguhem për zërin tim. Nëse e bëni pa mua, po më vidhni. Avokatët e mi janë shumë të zëshëm për këtë çështje

-është shprehur Freeman.

Ai përmendi gjithashtu Tilly Norwood, një “aktore” e krijuar nga AI dhe e prezantuar nga komediani holandez Eline Van Der Velden, për të cilën raportohet se ka tërhequr vëmendjen e disa agjencive në Hollywood.

Sipas Freeman, prania e figurave të tilla dixhitale nuk ka të ardhme reale në industrinë e filmit:

Askush nuk e pëlqen sepse nuk është reale dhe po zë vendin e një personi të vërtetë. Kjo nuk do të funksionojë mirë në filma apo televizion

Aktori rikujtoi se edhe sindikata SAG-AFTRA vijon të kundërshtojë ashpër zëvendësimin e aktorëve njerëzorë me inteligjencë artificiale, veçanërisht pa pëlqim dhe pa kompensim të drejtë, duke e konsideruar këtë një rrezik serioz për të ardhmen e profesionit.