E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Pamela Shqezi, për të komentuar më shumë mbi ngjarjet e ndodhura së fundmi në “Big Brother VIP 5”. Si e sheh ajo lojën e banorëve?
Pamela u ndal dhe tek deklaratat e Brikenës së fundmi, duke thënë se:
Unë jam shqetësuar shumë nga deklaratat e Brikenës kohët e fundit. Nëse Brikena është kjo vajza që nuk do e humbiste familjen për një shpullë, që do mbyllte “Instagram”-in për një mashkull, që do bënte shumë gjëra për të mos e mërzitur këtë mashkull, mua automatikisht në sytë e mi del një femër që ka dëshirë dhe po thotë me zë të lartë që do që të nënshtrohet. Nuk është problemi aty, nëse ajo do që të nënshtrohet kur të dalë jashtë, puna e saj, jeta e saj, nuk e gjykoj.
Por ajo është në një reality show dhe ajo po promovon nënshtrim dhe dhunë. Dhuna nuk është vetëm Rogerti që bërtet, dhunë është edhe të thuash që ‘unë e duroj një shuplakë’. Ky është promovim i dhunës. Ti duke u shfaqur si kjo vajza që nështrohesh dhe do të jesh skllavja e një partneri nesër-pasnesër dhe ti e promovon nënshtrimin, nga nënshtrimi vjen dhuna, dhe nga dhuna vjen vrasja. Ne kemi shumë plagë në Shqipëri për vajza që e kanë luftuar këtë mentalitet, dhe nuk e kanë luftuar se duan të kenë liri dhe të çmenden, ato duan të kenë liri që të mos vriten dhe të mos dhunohen.
Pra të arrijnë të bëjnë jetën e tyre. Dhe është shumë e rëndë që del një vajzë 25 vjeçe dhe promovon mentalitet ekstremisht të vjetër, sikur po flet një gjyshe. Ajo ka shumë fanse jashtë, që mund të jenë në një marrëdhënie të tillë që i dashuri do që t’i trajtojë si pronë dhe dëgjon Brikenën. Ajo është një shembull që nuk duhet marrë. Jo sepse unë jam për liri të çmendur, por sepse kjo çon në dhunë dhe dhuna nuk është e mirë. Kaq. Nëse ajo e bën si zgjedhje personale, le ta bëjë, por jo ta promovojë. Mua më shqetëson që ajo del dhe ka gjithë atë influencë dhe thotë që ‘unë dua të jem e nënshtruar nga një burrë, skllavja e një burri’. Le të jetë, por jo ta promovojë, sepse është gabim, sepse ajo çon në dhunë dhe dhuna çon në vrasje. Në momentin që ti i nënshtrohesh një burri dhe ai të thotë mbylle Instagramin dhe ti e mbyll, ai të thotë mos dil me shoqet dhe ti nuk del, ai të thotë dhe mos dil me motrën dhe ti nuk del, pastaj në momentin që ti do duash të ndahesh, ai të thotë që je prona e tij dhe të vras po ike.
Është teagjike, prandaj dhe unë po e bëj tragjike, se ai po të trajton si pronë dhe ti po e pranon që po të trajton si pronë. Bëhet fjalë dhe për burra me një nivel të caktuar ekonomik, pra nënshtrim ndaj burrave që të ofrojnë një jetë të mirë. Sepse po të ishte çështje nënshtrimi ndaj një çuni normal dhe ndaj një jete normale, besoj se Brikenën nuk do e shihnim fare as tek Miss-i, as në “Big Brother”, do ishte nënshtruar tashmë në Vushtri apo diku tjetër. Boll me promovimin e dhunës. Secili ka të drejtë ta bëjë jetën si të dojë, por jo të çojë këto mesazhe te vajzat e reja që nesër dhunohen dhe vriten. Ne njerëzit e ekranit mbajmë përgjegjësi për vlerat që promovojmë. /TAR/



