E ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio ka qenë aktorja e njohur dhe fituesja e edicionit të tretë të Big Brother VIP, Egla Ceno. Ajo ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me shfaqjen më të re për të cilën po punon në Korçë, “Një martesë, një divorc dhe një funeral”. Egla është ndalur tek eksperienca e saj në “Goca dhe Gra” dhe gjithashtu ka komentuar pak dhe ka dhënë mendimin e saj në lidhje me banorët dhe edicionin e katërt të BBV.

Çfarë duhet të dimë për shfaqjen e re “Një martesë, një divorc dhe një funeral”?

Është një prodhim i Teatrit të Korçës, regjisore është Rovena Lule. Edhe Zamira Kita, Olta Daku dhe Paola Kodra. Është komedi dhe do të jepet në fund të muajit si shfaqje. Unë luaj rolin e Lilit, është më fëmija i ngelur fëmijë nga ato të treja. Nga ato që ta thotë pa e menduar fare. Ka vendosur një herë të vetme në jetën e saj të martohet sepse gjitha jetën ka ndihmuar prindërit dhe ka jetuar me ta. Nuk është martuar kurrë dhe është goxha e madhe në moshë por djali me të cilin martohet i vdes në ditën e dasmës.

A do të kemi së shpejti një Egla që do të na sjellë një tjetër zhanr në teatër përveç komedisë? Aktorja tregoi se:

Po punoj personalisht në fakt vetë me një grup fëmijësh me aftësi ndryshe. Është një shfaqje që bëhet në Fier nga Marsi ku dua të bëj bashkë edhe disa aktorë profesionistë që do të na nderojnë me prezencën e tyre. Është një proces që sinqerisht më rrit dhe më pasuron shumë edhe si profesioniste por edhe nga ana njerëzore. E kam shumë të ndjerë dhe kam idenë që nuk mund të bëhet me forcë një gjë e tillë. Arti është një dashuri e madhe. 

Për njerëzit që duan të jenë pjesë e fushës së artit, çfarë do t’i këshillonte Egla?

Nëse është pasioni dhe nëse shoqërohet me një punë të lodhshme sigurisht sepse nuk ka një punë që nuk të lodh. Puna është punë por nëse ka pasion absolutisht t’i kthejnë sytë nga arti. Është shumë i pasur për shpirtin. Të ushqen shpirtin dhe ka ca rrënjë të transformojnë. Është një botë tjetër. 

Sa i përket poezisë së interpretuar prej saj në rrjetet sociale dhe së fundmi është kthyer virale në TikTok, Egla u shpreh:

Jam shumë e lumtur sepse kështu të paktën njohim edhe poetët tanë sepse ndryshe nuk do t’i njihnim dot. Jam vërtet e lumtur që është bërë virale.