Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi në Pejë, ku humbi jetën vëllai i reperit të njohur shqiptar, Gjestit.
Sipas komunikatës së publikuar nga Policia në rrjetin social Facebook, ngjarja ndodhi më 26 shtator 2025, rreth orës 14:05, në fshatin Treboviq të Pejës. Në aksident ishin të përfshira një makinë dhe një motoçikletë.
“Aksidenti dyshohet se ka ardhur pasi drejtuesi i motoçikletës, në një kthesë, humbi kontrollin dhe kaloi në shiritin e kundërt të rrugës, ku u përplas me makinën që po lëvizte në drejtim të kundërt”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Si pasojë e goditjes, një person ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa një person tjetër është lënduar rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Pejës, ku po trajtohet.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, pasi viktima rezulton të jetë vëllai i reperit të njohur Gjesti.