Gati 30 vjet pas vdekjes së saj, Princesha Diana vazhdon të jetë një nga figurat më të dashura dhe më të komentuara në botë. Ndonëse një pjesë e madhe e brezit të sotëm nuk kishte lindur ende kur ajo ishte gjallë, ndikimi i saj duket se nuk është zbehur aspak. Përmes filmave, dokumentarëve, serialeve si The Crown dhe pafund imazheve që vazhdojnë të qarkullojnë, Diana është kthyer në një ikonë që vazhdon të frymëzojë edhe sot.

Madje, shumë e konsiderojnë atë “influencuesen e parë” dhe ndoshta kjo nuk është aspak një ekzagjerim. Shumë kohë përpara Instagram-it, TikTok-ut dhe mediave sociale, Diana ishte vazhdimisht në qendër të vëmendjes. Ajo shfaqej në kopertinat e revistave, në ekranet televizive dhe në titujt e gazetave, ndërsa çdo detaj nga jeta e saj ndiqej nga miliona njerëz. Me pak fjalë, ajo ishte kudo.

Pse njerëzit ndiheshin sikur e njihnin?

Ky fenomen lidhet edhe me atë që sot njihet si marrëdhënie parasociale, pra ndjesia se njeh dhe ke një lidhje me një person që në fakt nuk e njeh personalisht. Njerëzit e ndiqnin vazhdimisht Diana-n dhe, përmes asaj që shihnin në media, krijuan ndjesinë sikur ishin pjesë e jetës së saj.

Por ajo që e bëri edhe më të afërt për publikun ishte mënyra se si u shfaq përballë botës. Diana nuk ishte thjesht një princeshë e paarritshme. Ajo foli hapur për vështirësitë personale, për shëndetin mendor, marrëdhënien e saj të trazuar dhe tradhtinë në martesë. Tema të tilla e bënë më njerëzore në sytë e publikut dhe krijuan një lidhje të fortë, veçanërisht me shumë gra që gjenin pjesë të vetes në historinë e saj.

Një ikonë edhe për ata që nuk e kanë njohur kurrë

Ajo vdiq tragjikisht në Paris në vitin 1997, por imazhi i saj nuk u zhduk bashkë me të. Përkundrazi, me kalimin e viteve, historia e Diana-s është rrëfyer vazhdimisht nga media, regjisorë, dokumentarë dhe seriale, duke e prezantuar atë edhe për breza të rinj që nuk e kanë përjetuar kurrë kohën kur ajo ishte gjallë.

Sot, shumë të rinj, sidomos vajza dhe gra të reja, vazhdojnë ta shohin si një figurë pothuajse heroike. Në një farë mënyre, kjo ndodh sepse personi që ata mendojnë se njohin është ndërtuar ndër vite përmes fotografive, intervistave, filmave dhe tregimeve të panumërta. Diana reale dhe Diana që jeton sot në imagjinatën e publikut mund të jenë dy gjëra të ndryshme, por ndikimi i këtij imazhi mbetet jashtëzakonisht i fuqishëm.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe trashëgimia e saj më e madhe. Nuk ka rëndësi që kanë kaluar pothuajse tri dekada nga vdekja e saj, sepse Diana vazhdon të jetë e pranishme në kulturën popullore dhe në zemrat e njerëzve. Ajo mbetet simbol i ndjeshmërisë, guximit dhe mënyrës se si një figurë publike mund të krijojë një lidhje kaq të fortë me njerëzit, saqë koha nuk arrin ta shuajë.