Mjeku i njohur, Edi Tushe, ishte dje i ftuar në rubrikën “Galeri” me Edi Manushin, ku ka treguar detaje nga jeta e tij personale.

Gjatë kësaj bisede me moderatorin e njohur, Tushe ka rrëfyer se prej vitit 2003 nuk ka më asnjë komunikim me djalin e tij, nga martesa e parë, i cili jeton në Kanada.

“Jam përpjekur të lidhem edhe me njerëzit e ish-bashkëshortes sime, sepse kam një marrëdhënie të mirë me ta. Ai është në Kanada. Nuk është e lehtë t’i shpëtosh një indoktrinimi të caktuar. Të gjithë ata që ikën bashkë me djalin tim atje, i kanë prerë të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë”, u shpreh mjeku i njohur.

Mjeku pediatër tregoi se i biri, Idliri, dikur kishte shprehur dëshirën për të ndjekur rrugën e tij profesionale.

“Im bir e pa në Tiranë se sa e donim ne. Ka dhe një foto nga zyra ime dhe aty mori dëshirën për të vazhduar mjekësinë”, tha Tushe, duke shtuar se nuk di ta shpjegojë arsyen e shkëputjes.

Në fund të intervistës, mejku përcolli një mesazh prekës për të birin:

“Ai është djali im. Do doja ta kisha në krahë dhe të jetë i lumtur, i arrirë në jetë, t’i ketë realizuar ëndrrat e tij. Kjo do ishte e vetmja gjë që do të doja për të. Unë vetë kam vuajtur, dhe vuajtjet e bëjnë njeriun më të butë, më të ëmbël – por ndonjëherë edhe më të ashpër. Varet se si e sheh jetën”.