Një burrë në Britaninë e Madhe shkaktoi dëme të mëdha pasi vodhi një autobus dhe e përplasi qëllimisht në banesën e ish-partnerit të tij. Ian Anderson, 33 vjeç, shkaktoi rreth 46 mijë paund dëme në pronë dhe në autobusin 18-tonësh, në një përpjekje për të turpëruar ish-të dashurin e tij, u tha në gjykatë.

Anderson kishte qenë në një lidhje shtatëvjeçare me partnerin e tij, por ata u ndanë në dhjetor të vitit 2024, vetëm një muaj para incidentit. Pas ndarjes, ai u zemërua kur mësoi se ish-partneri i tij kishte dërguar disa broshura pushimesh tek një mik, gjë që e shtyu të ndërmarrë një veprim ekstrem për ta poshtëruar publikisht.

Anderson, nga South-Tyneside, vodhi autobusin nga kompania Liberty Coaches ku punonte si punonjës oborri. Para se të largohej, ai hoqi kamerën e sigurisë nga mjeti dhe u nis drejt shtëpisë së ish-partnerit. Ish-partneri i tij dëgjoi një automjet jashtë banesës që po i binte borisë dhe kur doli të shihte, pa autobusin të ndalur përpara ndërtesës. Anderson më pas e drejtoi autobusin me shpejtësi drejt ndërtesës, duke e përplasur në murin e dhomës së gjumit të banesës. Nga përplasja u shkaktuan dëme të mëdha në apartament, ndërsa muri i dhomës së gjumit u shkatërrua pjesërisht.

Pas aksidentit, Anderson doli nga autobusi dhe tentoi të godiste ish-partnerin me copa xhami të thyer nga dritarja e shkatërruar, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes në këmbë. Sipas përllogaritjeve, dëmet në pronë arritën në 23,834 paund. Autobusi pësoi një dëm prej 5,852 paundësh, ndërsa kostoja e punës për riparim u vlerësua rreth 22 mijë paund.

Në total, incidenti shkaktoi dëme rreth 46 mijë paund. Gjykatësi Toby Hedworth e cilësoi veprimin e tij si një akt jashtëzakonisht të papërgjegjshëm, budalla dhe fëmijëror. Anderson pranoi fajësinë për marrje të paligjshme të automjetit, dëmtim të pronës dhe drejtim të rrezikshëm.

Ai u dënua me 12 muaj burg, por dënimi u pezullua për dy vjet për shkak të mungesës së dënimeve të mëparshme. Gjykata urdhëroi gjithashtu që ai të paguajë 2 mijë paund dëmshpërblim, me këste mujore prej 20 paundësh që do të ndahen mes kompanisë së autobusëve dhe kompanisë së banesave. 33-vjeçari gjithashtu u ndalua të drejtojë automjete për dy vite.