Dënimet me nga pesë vite burg për Donato Corsillon dhe bashkëshorten e tij, Antonietta Iapaolo, të akuzuar për keqtrajtim dhe heqje të paligjshme të lirisë së Lucia Corsillos, motrës së tij, kanë marrë formë të prerë në Itali.

Seksioni i Pestë Penal i Gjykatës së Kasacionit rrëzoi rekursimet e paraqitura nga mbrojtja, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Campobasso-s, e cila kishte konfirmuar më parë dënimin e dhënë në shkallën e parë. Tashmë, dy bashkëshortët pritet të vuajnë dënimin me burg.

Ngjarja u zbulua në shtator të vitit 2022, kur karabinierët në Casalciprano, në provincën e Campobasso-s, ndërhynë pas një sinjalizimi. Ata gjetën gruan, atëherë 67 vjeçe, në një dhomë pranë depos së druve në banesën e vëllait dhe kunatës së saj. Ambienti nuk kishte as tualet dhe as ngrohje, ndërsa dera mund të hapej vetëm nga jashtë, duke e penguar atë të largohej vetë.

Sipas fakteve të vërtetuara gjatë proceseve gjyqësore, gruaja kishte përjetuar për më shumë se 20 vjet privime të rënda dhe kufizime të lirisë personale. Ajo nuk mund të mbante marrëdhënie normale me botën e jashtme dhe as të shkonte lirisht në varreza për të vizituar varrin e bashkëshortit të saj.

Në përfundim të seancës publike të 21 tetorit, Gjykata e Kasacionit pranoi argumentet e palës civile, të përfaqësuar nga avokatja Tina De Michele, dhe rrëzoi rekursimet e paraqitura nga avokatët e të dënuarve.