Një çift prindërish është dënuar me gjithsej 15 vite burg nga Gjykata e Kurorës në Mançester, pasi vajza e tyre 2-vjeçare humbi jetën pas një periudhe të gjatë abuzimi fizik. E mitura pësoi dëmtime të rënda në tru si pasojë e tundjes së fortë. Hetimet zbuluan gjithashtu shenja djegiesh, mavijosjesh dhe një frakturë në brinjë, të cilat ngritën dyshime serioze për keqtrajtim sistematik.

Nëna, 32 vjeçe, pranoi akuzën për vrasje nga pakujdesia dhe keqtrajtim të fëmijës, ndërsa babai, po ashtu 32 vjeç, u deklarua fajtor për akuzën e keqtrajtimit. Gjatë seancës së dënimit, gjyqtari theksoi se e mitura ishte ekspozuar ndaj dhunës nga personat që kishin detyrimin ta mbronin. Ngjarja doli në dritë në nëntor 2023, kur shërbimet e emergjencës u thirrën në banesën e familjes në Mançester. Fillimisht u raportua se fëmija ishte rrëzuar, por ekzaminimet mjekësore zbuluan dëmtime të shumta të pashpjeguara.

Vajza ndërroi jetë disa javë më vonë në spital, pasi u ndërpre mbështetja me aparatura. Hetimet përfshinë ekspertë mjeko-ligjorë dhe analiza të detajuara forensike.