Një skandal i rëndë ka shpërthyer në botën e showbiz-it, pasi prezantuesja gjermane Collien Fernandes akuzon ish-bashkëshortin e saj për shpërndarjen e materialeve pornografike të rreme në emrin e saj.

Sipas akuzave, aktori Christian Ulmen dyshohet se ka krijuar profile të rreme duke përdorur identitetin e saj dhe ka shpërndarë foto dhe video, përfshirë materiale të gjeneruara me inteligjencë artificiale, tek qindra burra.

Këta persona besohej se ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me prezantuesen, madje disa prej tyre dyshohet se kanë pasur edhe komunikime intime me profilet e rreme.

Fernandes ka bërë kallëzim penal në Berlin për vjedhje identiteti dhe abuzim online, ndërsa më pas ka akuzuar drejtpërdrejt ish-bashkëshortin, duke pretenduar se ai e ka pranuar vetë veprimin.

Ajo ka deklaruar se për vite me radhë ka qenë viktimë e këtij abuzimi, duke theksuar se ndjeu sikur identiteti dhe trupi i saj ishin “vjedhur”.

Autoritetet në Spanjë kanë nisur hetime paraprake për çështjen, ndërsa rasti po krahasohet me skandale të tjera të rënda që kanë tronditur opinionin publik në Europë.