Familja mbretërore shqiptare është në qendër të vëmendjes dhe shkak është bërë fejesa e Princ Leka II me Blerta Celibashin. Kësaj radhe ishte unaza e Blertës që u komentua shumë.
Revista britanike “Hello Magazine” shkruan se princi shqiptar i ka propozuar me një unazë fejese vlerësuar në 120 mijë paund, ose rreth 140 mijë euro, një shifër që po qarkullon gjerësisht në mediat ndërkombëtare.
“Unazë mbretërore, por pa zhurmë”
Nilesh Rakholia është ekspert i bizhuterive dhe sipas “Hello Magazine”, ai e përshkruan unazën si “të qetë, elegante dhe pa teprime”, një diamant me prerje ovale ose cushion, i vendosur mbi një shirit të hollë të zbukuruar me gurë pavé.
Sipas tij, nëse diamanti qendror është 2 deri në 3 karatë, çmimi i vlerësuar prej 140 mijë eurosh është plotësisht i justifikuar. Ai e quan këtë stil “regal, por bashkëkohor”, një mënyrë për të treguar status dhe ndjenjë, pa pasur nevojë të bësh shumë zhurmë.
Rakholia shton se prerjet oval dhe cushion simbolizojnë “harmoni dhe dashuri që zgjat”, duke e bërë dizajnin jo vetëm estetikisht të përkryer, por edhe emocionalisht kuptimplotë.
Ndërkohë kujtojmë se propozimi ndodhi më 11 tetor 2025, në Ksamil, një nga vendet më të dashura të rivierës shqiptare. Çifti ndau lajmin me ndjekësit në “Instagram”, me një seri fotosh romantike nën diellin e vjeshtës, ku unaza shkëlqente në dorën e Blertës, në një kornizë që kombinonte qetësinë, detin dhe dritën, në një ceremoni që bëri jo pak zhurmë në rrjet.
Fejesa e tyre vjen një vit pas divorcit të Princ Lekës me Elia Zeharia, me të cilën ka një vajzë, Princeshën Geraldinë. Çifti kishte shpallur ndarjen në janar 2024, pas tetë vitesh martesë.
Nga ana tjetër, lidhja me Blertën u bë publike në shtator 2024 dhe, që nga ajo kohë, ata janë parë shpesh në evente kulturore dhe bamirësie, përfshirë aktivitetet e Fondacionit Queen Geraldine.