Zakonisht janë prindërit ata që ndajnë fëmijët kur zihen, por në këtë rast ndodh e kundërta. Në një ndeshje futbolli për të rinj në Itali, situata u përmbys kur disa prindër u përfshinë në një sherr në tribunë, duke detyruar dy futbollistë të linin fushën për të ndërhyrë e për t’i qetësuar.

Ngjarja ndodhi të shtunën pasdite në Gorzano, në zonën e Modenës, gjatë ndeshjes mes Maranello Calcio dhe Baracca Beach, e vlefshme për kampionatin rajonal të futbollit për grupmoshën nën 18 vjeç.

Ajo që nisi si një debat mes prindërve që mbështesnin skuadrat kundërshtare, u përshkallëzua deri në përplasje fizike. Mes thirrjeve dhe tensionit në tribunë, situata doli jashtë kontrollit, duke bërë që arbitri të ndërpriste ndeshjen.

Ishin dy prej lojtarëve ata që ndërhynë për të ndalur sherrin. Futbollistët e Maranellos u larguan nga fusha dhe u ngjitën në tribunë për të ndarë të rriturit, duke i dhënë fund përplasjes.

Fatmirësisht, pasojat fizike raportohet se kanë qenë të lehta dhe nuk u pa e nevojshme ndërhyrja e ambulancës apo e karabinierëve. Shkaku i saktë i debatit mbetet ende i paqartë, ndërsa klubet po përpiqen të rindërtojnë rrethanat e ngjarjes.

Përtej ndërprerjes së ndeshjes, episodi ka lënë pas një situatë të pakëndshme në një aktivitet që duhet të përcjellë vlera si respekti, korrektësia dhe loja e ndershme.

Në fund, imazhi që mbetet nuk është ai i një goli apo i rezultatit të ndeshjes, por i dy të rinjve që u detyruan të bënin atë që pritej nga prindërit e tyre: të ruanin qetësinë dhe të ndalnin konfliktin.