Mbrëmja e djeshme nuk ishte thjesht nata hapëse e spektaklit të edicionit të pestë të “Big Brother VIP”, por u shndërrua në një kujtesë të dhimbshme për një vend që mbeti bosh.
Gjatë Prime-t të parë, publiku u përball me një homazh prekës për këngëtarin e njohur, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta tragjikisht më 26 nëntor, vetëm pak javë para se të bëhej banor i shtëpisë më të famshme në vend.
Ajo që duhej të ishte nisja e një aventure të re televizive për Shpatin, u kthye në një plagë të hapur për bashkëshorten e tij, Selvije Jao.
Përmes një reagimi rrëqethës, Selvija ndau me publikun për herë të parë bisedën e fundit që kishin bërë rreth hyrjes së tij në “Big Brother” një bisedë që sot tingëllon si një paralajmërim i hidhur.
Ajo rrëfen se shqetësimi kryesor i Shpatit nuk ishte loja apo fama, por familja.
“Kur Shpati mendonte të hynte në Big Brother, më pyeti: ‘Do mundesh ta përballosh mungesën time dhe të kujdesesh e vetme për Roelin, derisa unë të jem në Big?’”, shkruan ajo.
Në atë moment, përgjigjja e saj ishte plot mbështetje dhe optimizëm:
“Patjetër… do të të kem 24/7 para syve.”

Por Selvija pranon se atëherë e kishte menduar mungesën si diçka të thjeshtë, fizike, brenda ekranit, pa e ditur se data 26 nëntor do ta kthente këtë bisedë në kujtimin më të dhimbshëm të jetës së saj.
Homazhi i zhvilluar në Top Channel rihapi plagën e faktit se “të gjitha ato plane, strategji dhe ëndrra” për lojën televizive përfunduan në një mungesë të përjetshme. Selvia rrëfen se, pavarësisht dhimbjes, kishte ende një fije shprese të pavetëdijshme:
“Unë prita deri në këto momente. Prita që të hysh në Big, sikur gjithçka të ishte vetëm një vonesë e gjatë.”
Dhimbja bëhet edhe më e madhe kur mendon për djalin e tyre të vogël, Roelin. Selvija shprehet se zemra i copëtohet çdo ditë, pasi e kërkon Shpatin kudo dhe nuk e gjen askund.
“Roeli rritet pa dorën tënde, dhe unë mësoj çdo ditë të jetoj me një dhimbje që nuk mësohet kurrë të shuhet”, shkruan ajo, duke e mbyllur mesazhin me fjalët:
“Më mungon më shumë sesa fjalët mund ta mbajnë.”




