E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Ledja Liku, producentja ekzekutive e “Yjet Shqiptarë të Diasporës”. Ajo ka zbuluar si nisi ky projekt, arritjet e emisionit, si dhe çfarë të presim në vazhdim…
Si ishte të takoje shqiptarët që jetojnë jashtë, sa ju kanë mirëpritur?
Ne kemi nisur xhirimet në muajin shtator dhe kemi nisur në Romë, ku kemi regjistruar tre episodet e para. Në fillim ishin pak skeptikë dhe nuk e kuptonin formulën e programit, sepse çdo program i ri duhet që njerëzi t’a shikojnë në televizor, t’a kuptojnë dhe pastaj t’a perceptojnë se si është i gjithi i realizuar. Ne kemi regjistruar episodet e para në Romë, kemi qenë në qendër të Romës, afër Piazza di Spagna ka qenë e vendosur studio jonë në një Roof Top. E mbaj mend si sot sepse kanë qenë temperaturat shumë të larta. Kemi qenë me Drinin, që ka qenë regjisori i terrenit, me Ilirin, Kleodori, kameramani dhe ishim pak staf. Por bëmë një punë, që kur kemi mbaruar, e kemi nisur në orën 09:00 të mëngjesit dhe e kemi mbaruar në 06:00 të pasdites, kemi parë njëri-tjetrin në sy me Ilirin dhe kemi thënë ‘ia dolëm’. Pamë një dëshirë shumë të madhe dhe kënaqësi tek konkurrentët. Përveç se ne që e dinim se çfarë do bënim, se erdhëm me një skenar të përgatitur, ishim të qartë se çfarë do bënim, ne donim përshtypjen e konkurrentëve.
Dhe 25 konkurrentët e parë që kemi xhiruar në Romë, dolën të kënaqur. Unë jam lumturuar shumë, kemi qenë shumë të lodhur, sepse vazhdonin mesazhet deri në darkë që na falënderonin për mikpritjen e intervistën. Dhe nuk ka emocion më të madhe se të marrësh 25 mesazhe deri në 01:00 të natës, nga të gjithë këta shqiptarë të mrekullueshëm, me fëmijët e tyre, që janë shumë të talentuar, që të falënderojnë për punën. Kjo nuk ka çmim për mua, gjithë kjo kënaqësi që të japin vetë prindërit apo vetë konkurrentët. Më pas kemi vazhduar në Zvicër, në Gjermani. Sigurisht mund të kemi pasur probleme që shfaqen në terren, që nuk duken në kamera. Terreni është i paparashikueshëm. Ne kemi thënë me Ilirin që kemi qenë të përkëdhelurit e Zotit, sepse na ka mbajtur koha shumë e mirë. Deri në nëntor që kemi xhiruar ka qenë një mot aq i mirë sa nuk ka pasur asnjë ditë me shi. Sepse po të kishte shi, do na prisheshin të gjithë xhirimet dhe do na duhej të spostoheshim. Mendoj se kjo eksperiencë ia ka vlejtur. Nëse do më pyesje a do ta ribëje, tani që jam e lodhur mund të them jo, por do ta ribëja prapë absolutisht. Kam njohur shqiptarë të cilët për mua do të mbeten miq të gjithë ata të 75. /TAR/

