Projekti filmik për masakrën e Reçakut, një prej plagëve më të mëdha të historisë së Kosovës ende pa filluar xhirimet ka filluar të trazojë opinionin, por jo vetëm në rajon. Këtë herë, reagimi më shpërthyes ka ardhur nga Rusia, ku mediat e afërta me Putinin kanë filluar të publikojnë artikuj të mbushur me nervozizëm dhe deformime të vjetra propagandistike. Një film ndërkombëtar i cili pritet të përfshijë aktorë të mëdhenj të Hollywood-it, mes tyre edhe Robert De Niron, nuk është lajm i lehtë për t’u kapërdirë në Moskë. Sidomos kur në qendër të tij është një ngjarje që Serbia dhe Rusia kanë tentuar me vite ta relativizojnë para opinionit global.
Mediat ruse të afërta me Putinin, kanë publikuar një artikull në të cilin e kanë shpërndarë disa media të tjera ruse, shfaq një shqetësim të dukshëm. Ata raportojnë me një ton të ngritur, duke e relativizuar masakrën e Reçakut dhe duke e paraqitur si “përplasje mes forcave jugosllave dhe ekstremistëve”, duke përdorur formulime propagandistike që janë përdorur prej më shumë se dy dekadash. Në artikull përmendet edhe raporti i OSBE-së, por vetëm për të tentuar ta relativizojë, duke e cilësuar William Walker-in, njeriun që dokumentoi masakrën si njeriun që “insistoi në akuzë për masakër mbi civilët”.
Kjo gjuhë, e njohur tashmë nga propaganda ruse, e shmang faktin që masakra e Reçakut është e dokumentuar gjerësisht dhe e pranuar botërisht. Rusia ka vite që mundohet ta shtyjë narrativën se në Reçak u vranë “ekstremistë të armatosur”, duke injoruar gjetjet e misionit ndërkombëtar dhe dëshmitë e pafundme që vërtetojnë të kundërtën. Një prodhim kinematografik me aktorë të mëdhenj dhe me një histori të dokumentuar ndërkombëtarisht nuk është lajm i mirë për propagandën ruse dhe serbe, të cilat prej vitesh tentojnë ta zhbëjnë çështjen e Reçakut.




