Ditën e diel qytetarët shqiptarë u mblodhën në Tiranë për të protestuar kundër abuzimeve seksuale. Pjesëmarrja ishte e madhe dhe u vu re se pjesë e saj ishin edhe personazhe të njohur të ekranit.

Aktori i njohur, Genc Fuga, ishte në protestë së bashku me bashkëshorten e tij, Eni Jani dhe dy vajzat e tyre. I ftuar në “Breaking” në Top News, ai u shpreh se u shqetësua kur e bija i kishte dërguar një filmim “TikToku”.

“E vetmja mënyrë për të vënë në paqe time bijë me këtë realiteti, ishte të mbështesim këtë nismë. Kishte momente kur donin të bërtisnin, doja të bërtisja edhe unë me ta. Një grumbullim i madh njerëzish, që kishin menduar një natë më parë për këtë ngjarje duke bërë pankarta të ndryshme”, tha aktori i njohur.

I pyetur se si u ndje kur dëgjoi për lajmin e 15-vjeçares së përdhunuar nga pesë persona, Fuga tha: “Ishte një nga ato ngjarjet që shoqëria e sotme nuk na i kursen”.

“Ne kemi shumë probleme, problemi kryesor tregtimi i njeriut. Nuk bëhet fjalë vetëm për diferencën e moshës së iniciatorit apo incizimi i saj, por incizimi që përdore si shantazh. Mosha e pjesëmarrësve ishte makabër”, tha aktori.

Sipas tij, edukata mësohet duke u ndëshkuar. “Duke mos patur moral në shumë fusha, kërkojmë ta gjejmë diku ku nuk ndëshkohet”, tha ai.

Ndërsa për protestën, Fuga tha se kishte pjesëmarrje të madhe, vajzat gruaja e tij ndiheshin mirë.

“Edhe unë ndihesha mirë. Ishte një energji e përbashkët për një ndëshkim të thellë. “Burrat rriten nga gratë”, ishte një nga parullat që mbanin vajzat e mia, nuk përdorem termat meshkuj dhe femra. Duhet të protestonin më shumë burra e të rinj për t’u distancuar nga këto ngjarje. Më pëlqeu se si u organizua gjithçka, diversiteti i parullave”, tha Fuga.