Princ Leka ka reaguar lidhur me protestat në vend, duke shprehur mbështetjen e Oborrit Mbretëror për studentët shqiptarë dhe të drejtën e tyre për të protestuar.

Me anë të një deklaratë publike, Oborri Mbretëror shprehet i shqetësuar për raportimet mbi aktet e dhunës dhe denoncimet për keqtrajtimin e të rinjve dhe të miturve, si gjatë shoqërimit nga policia, ashtu edhe në komisariate. Sipas deklaratës, institucionet përgjegjëse duhet të hetojnë rastet e denoncuara dhe të sigurojnë që çdo person që ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi.

Reagimi i plotë:

Oborri Mbretëror qëndron në krah të studentëve shqiptarë në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar. Kemi ndjekur me kujdes të gjitha aktet e dhunës dhe denoncimet për keqtrajtimin e të rinjve dhe të miturve, si në rrugë, në furgonët e policisë, ashtu edhe në komisariate, dhe ndihemi të shqetësuar për sigurinë e tyre.

Çdo veprim është dokumentuar përmes videove dhe fotografive, ndaj institucionet përkatëse duhet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të sigurojnë që kushdo që ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi.

I nxisim studentët t’i bëjnë të njohura shqetësimet e tyre edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke informuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke përcjellë me vërtetësi dhe përgjegjësi atë që shohin dhe përjetojnë në terren. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe realiteti të pasqyrohet me ndershmëri.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm. Autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët, jo t’i intimidojnë apo të përshkallëzojnë tensionet përmes përdorimit të tepruar të forcës. Çdo sjellje e papërshtatshme duhet të bëhet objekt i llogaridhënies.

Protesta paqësore duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi. Dhuna dhe dëmtimi i pronës private janë të papranueshme dhe cenojnë legjitimitetin e çdo kauze të drejtë.

Oborri Mbretëror bën thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të të drejtave themelore. Zëri i të rinjve shqiptarë duhet të dëgjohet dhe e ardhmja e tyre të mbrohet.