Albert Mahmuti, nënkampion i kikboksit, së bashku me gruan shtatzënë dhe katër fëmijët, prej dy ditësh proteston para kryeministrisë, duke kërkuar dëmshpërblim për medaljet e marra, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë.


I ftuar në emisionin “Ftesë në Pesë” në “Top Channel”, ai tregon sorollatjet e panumërta nëpër institucionet shqiptare, ndërsa thotë se nuk kërkon lëmoshë, po atë që i takon.


Ai shprehet se i kanë premtuar shumë herë dëmshpërblimin e merituar, por deri tani nuk ka marrë asgjë.


Në vështirësi ekonomike, nënkampioni i kikboksit thotë se aktualisht punon në një fasoneri dhe jeton me 300 mijë lekë në muaj.


 “Në vitin 2000 jam kampionën Greqi, duke parë aftësitë e mija më orientuan të vija në Shqipëri për të organizuar nj skuadër kikboksi. Këtu krijova një klub të vogël në Fier në vitin 2003. Në Greqi po organizohej një kampionat kikboksi dhe më ftuan të përfaqësoja Shqipërinë. Dola në vendin e tretë. Në Shqipëri nuk ka pasur federatë kikboksi në atë kohë. Ndërkohë po vazhdoja kërkimet për një shpërblim sepse e kam përfaqësuar Shqipërinë denjësisht. Në 2005 shkoj në Tokio të Japonisë, ku merrnin pjesë 80 shtete, ku u shpalla nënkampion bote.


Kam marrë vetëm një shpërblim vetëm rrugën vajtje-ardhje. Nuk kërkoj lëmoshë, por djersën time që kam përfaqësuar Shqipërinë. Më takonte të merrja 80 mln lekë të vjetra, ky është shpërblimi për në kampionatin botëror. Nuk mu dha kjo mundësi, kërkoj dëmshpërblim, jo lëmoshë. Ajo medalje dhe ajo kupë duhen vlerësuar. Në 2006 ishte për më dhënë 15 milion lekë, u morë ky vendim. Por më thonë që nuk ka financa e Ministrisë së Sporteve.


U ndërrua ministri, pastaj dhe më kërkonin dokumentet nga e para. Më kanë dhënë një rrogë prej 100 mijë lekë të vjetra në muaj. Unë aktualisht punoj në një masoneri. Jetoj me 300 mijë lekë, paguaj 150 mijë lekë qira. Nuk i kërkoj kryeministrit lëmoshë, por për atë djersë që kamë përfaqësuar Shqipërinë. Unë do vazhdoj të qëndrojë para kryeministrisë sepse nuk e le djersën time. Unë nuk kam ikur privatisht, por me urdhër të shtetit kam përfaqësuar vendin. Nuk luaj nga kryeministria, po më marrin më qafë për një të drejtë që më është mohuar”, tha ai.