Natën midis 25 dhe 26 tetorit 2025, në orën 03:00 të mëngjesit, akrepat lëvizën një orë pas, duke kaluar nga ora verore në atë dimërore.

Ky ritual i përvitshëm, që ndodh dy herë në vit, vazhdon të ngjallë debat – jo vetëm për komoditetin, por edhe për shëndetin publik.

Një zakon i vjetër që mund të dëmtojë trupin

Ndryshimi i orës u krijua fillimisht për të kursyer energji gjatë muajve të ftohtë, por sot shumë ekspertë mendojnë se bën më shumë dëm sesa dobi. Sipas shkencëtarëve, kjo praktikë çrregullon orën tonë të brendshme biologjike, të njohur si ritmi cirkadian, i cili kontrollon funksione jetike si gjumi, metabolizmi, presioni i gjakut dhe ritmi i zemrës.

Një studim i ri nga Universiteti i Stanfordit ka ofruar prova të forta se ndërrimi i orës dy herë në vit është zgjidhja më e dëmshme për shëndetin. Studiuesit krahasuan tre skenarë: sistemin aktual, orën e përhershme verore dhe orën e përhershme dimërore – dhe arritën në përfundimin se ndryshimi i vazhdueshëm është më i keqi për trupin e njeriut.

Sipas modelimeve të bazuara në të dhëna të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), kalimi në kohë standarde të përhershme mund të parandalojë çdo vit rreth 300 mijë goditje në tru dhe të zvogëlojë obezitetin me mbi 2.6 milionë raste në SHBA.