Shpesh pyesim veten pse vazhdojmë t’i rikthehemi marrëdhënieve që na shkaktojnë më shumë dhimbje sesa qetësi. Sipas Teorisë së Lidhjes të psikiatrit britanik John Bowlby, përgjigjja gjendet që në momentet e para të jetës sonë.
Që nga lindja, ne krijojmë një varësi emocionale ndaj kujdestarëve tanë, dhe mënyra se si ata na kanë dashur, na ka mësuar edhe mënyrën se si ne do të duam në të ardhmen
Trajnerja Sara Manzaneque, eksperte në lidhjen e pikëllimit dhe punën me pjesët e brendshme, shpjegon se më pak rëndësi ka ajo që na kanë thënë prindërit dhe më shumë ajo që kemi parë e ndjerë. Si flisnin mami dhe babi me njëri-tjetrin, si e trajtonin njëri-tjetrin dhe ne, si reagonin ndaj emocioneve tona. Të gjitha këto modele futen në trup e mendje pa u kuptuar dhe bëhen hartë e dashurisë sonë në të ardhmen.
Nëse kujdestarët nuk ishin emocionalisht të disponueshëm, nëse dashuria varej nga sjellja jonë, nëse kishim frikë nga ndëshkimi ose duhet të ishim “fëmijë perfektë” për t’u pranuar, atëherë trupi mëson se dashuria nuk është e sigurt.
Si të rritur, ne priremi t’i përsërisim këto modele: fytyra ndryshon, por historia mbetet e njëjtë.
Ekspertët theksojnë se këto përvoja të hershme zhvillojnë stilet e lidhjes, që më vonë formësojnë marrëdhëniet tona romantike.
Lidhja e sigurt krijohet kur fëmija është rritur me dashuri konsistente dhe mbështetje emocionale. Këta të rritur ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme, me komunikim dhe besim.
Lidhja e pasigurt lind kur mjedisi është i paparashikueshëm ose emocionalisht i ftohtë. Nuk është çështje faji, sistemi nervor mëson të mbijetojë duke shmangur afërsinë ose duke kërkuar vazhdimisht miratim.
Në raste të tjera shfaqet edhe lidhja traumatike: kur një marrëdhënie e dhimbshme bëhet e njohur, prandaj edhe e vështirë për t’u lënë pas. Këtu individi qëndron i lidhur pas shpresës se “këtë herë do të jetë ndryshe”, edhe kur realiteti është i kundërt.
Lajmi i mirë, sipas Manzaneque, është se stilet e lidhjes mund të ndryshojnë. Ato nuk janë tipare të pandryshueshme, por modele sjelljeje që mund të riformësohen. Shërimi nuk kërkon të harrojmë të shkuarën, por të ndalojmë së përsërituri atë.
Në thelb, të kuptuarit e mënyrës si duam është hapi i parë për të ndërtuar marrëdhënie më të shëndetshme, dhe për të mos u kthyer më në ato që na shkaktojnë dhimbje.


