Fazat e hershme të sëmundjes së Alzheimerit, përfshijnë shpeshherë një rënie të fshehtë të kujtesës afatshkurtër, së bashku me sfida të tjera rritje si luhatjet e humorit, çorientimi dhe vështirësia në përqendrim.

Ndërsa sëmundja përparon, këto efekte mund të ndikojnë shumë si te pacientët, ashtu  edhe tek familjarët e tyre. Në disa raste, familja dhe miqtë mund të fillojnë të vënë re shenja të një simptome veçanërisht mizore: humbjen e kujtesës sociale, e cila i privon pacientët nga aftësia e tyre për të njohur njerëzit e zemrës.

Një studim i ri mbi minjtë nga shkencëtarët e Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Virxhinias dhe Virginia Tech, ka zbuluar së fundmi se ndërprerjet në strukturat e specializuara që mbështesin nyjet midis neuroneve, mund të luajnë një rol kritik në këtë humbje graduale të kujtesës.

“Gjetja e një ndryshimi strukturor që shpjegon një humbje specifike të kujtesës në sëmundjen e Alzheimerit është shumë emocionuese. Është një objektiv krejtësisht i ri, dhe ne kemi tashmë kandidatë të përshtatshëm për të gjetur ilaçet e duhura”, thotë neuroshkencëtari i Universitetit të Virxhinias, Harald Sontheimer.

Tek të rriturit e shëndetshëm, strukturat e quajtura rrjeta perineuronale, formojnë një matricë të ngjashme me rrjetën rreth neuroneve në rajone të caktuara të trurit, ku ato rregullojnë plasticitetin nervor, e mbrojnë nga stresi oksidativ dhe stabilizojnë kontaktet sinaptike që lidhin neuronet së bashku.

Këto rrjeta stabilizuese, mundësojnë komunikimin e duhur midis neuroneve në tru, siç e kanë zbuluar Sontheimer dhe ekspertët e tjerë në hulumtimet e mëparshme, dhe ky komunikim është i rëndësishëm për aftësinë e neuroneve për të regjistruar dhe ruajtur kujtimet.

Duke dyshuar se dështimi i këtyre rrjetave mund të luajë një rol në përparimin e sëmundjes së Alzheimerit, autorët e studimit hartuan studimin e ri për të hetuar këtë ide te minjtë.

Kur rrjetat perineuronale, u përkeqësuan në një pjesë të hipokampusit të njohur si CA2, minjtë e humbën aftësinë për të kujtuar minjtë e tjerë, pavarësisht se ruajtën aftësinë për të formuar kujtime të reja rreth objekteve në mjedisin e tyre.

Ndërsa studimet te minjtë nuk përkthehen gjithmonë te njerëzit, rezultatet ngjajnë me përvojat e zakonshme të njerëzve me Alzheimer, në të cilat kujtesa sociale shpesh zbehet përpara kujtesës së objekteve. Hulumtimet e mëparshme, sugjeronin se CA2 është thelbësor për kujtesën sociale.

“Në rastin e sëmundjes së Alzheimerit, njerëzit e kanë të vështirë të kujtojnë familjen dhe miqtë e tyre, për shkak të humbjes së një kujtese të njohur si kujtesë sociale. Ne zbuluam se veshja në formë rrjete e njohur si rrjeta perineuronale i mbron këto kujtime sociale”, thotë autorja kryesore e studimit Lata Shaunsali, studente e diplomuar në neuroshkencë në Universitetin e Virxhinias.

Përtej zbulimit të një mekanizmi të mundshëm, autorët testuan gjithashtu nëse mund të parandalonin humbjen e kujtimeve sociale tek minjtë duke e ndërprerë atë. Ata përdorën frenues të metaloproteinazës së matricës (MMP), të cilët po studiohen gjithashtu si ilaçe të mundshme kundër kancerit.

Këto ilaçe bllokojnë aktivitetin e MMP-ve, enzima që mund të tretin proteinat e matricës jashtëqelizore si ato në rrjetat perineuronale. Nëse frenuesit e MMP-së mund t’i ruajnë ato rrjeta, studiuesit shpresojnë që këto përbërës të mbrojnë edhe kujtesën sociale.

Eksperimentet e tyre me një model të Alzheimerit tek minjtë, duket se e vërtetojnë këtë shpresë. Minjve që iu dhanë frenues të MMP-së, pësuan më pak degradim të rrjetave të tyre perineuronale, zbuloi studimi, dhe ruajtën më shumë funksione të kujtesës sociale, pavarësisht se kishin sëmundjen e Alzheimerit.

“Në studimin tonë me minjtë, kur i mbajtëm të sigurta këto struktura të trurit që në fillim të jetës, minjtë që vuanin nga kjo sëmundje ishin më të mirë në kujtimin e ndërveprimeve të tyre shoqërore”, thotë Shaunsali.

“Hulumtimi ynë do të na ndihmojë të afrohemi më shumë me gjetjen e një mënyre të re, jo tradicionale për të trajtuar ose akoma më mirë, për të parandaluar sëmundjen e Alzheimerit, diçka që sot është shumë e nevojshme”, shton ajo.

Rreth 55 milionë njerëz në botë jetojnë aktualisht me sëmundjen e demencës, ku sëmundja e Alzheimerit përbën më shumë se 60 për qind të rasteve. Ndërsa popullatat vazhdojnë të plaken, këto shifra pritet të rriten, duke kaluar potencialisht 80 milionë brenda dekadës së ardhshme.

Gjetjet e reja janë premtuese, thonë studiuesit, por janë ende paraprake. Do të nevojiten më shumë kërkime për t’i vërtetuar këto rezultate dhe për të eksploruar zbatueshmërinë e tyre për speciet tona.

“Edhe pse kemi ilaçe që mund të vonojnë humbjen e rrjetave perineuronale, dhe kësisoj të vonojnë humbjen e kujtesës në sëmundje, duhen bërë më shumë kërkime në lidhje me sigurinë dhe efektivitetin e qasjes sonë përpara se kjo të mund të merret në konsideratë tek njerëzit”, thotë Sontheimer.