Një ditë më parë në emisionin “Ftesë në 5”, në Top Channel”, u komentua finalja e madhe e Champions League, ku Paris Saint-Germain fitoi me rezultat të thellë kundër Interit, 5-0.
Të ftuarit nuk folën vetëm në lidhje me rezultatin e asaj ndeshjeje, por edhe me çfarë ndodhi në kryeqytetin francez, Paris, gjatë festimeve për fitoren.
Gazetari i njohur, Genc Burimi, i cili jeton në Paris tregoi se si nëna e tij ishte shkelur me këmbë nga tifozët dhe kishte përfunduar në spital.
“Nga ana e tmerreve që pamë, personalisht, gjaku im, nëna ime u shkel me këmbë nga tifozët. Gruan 79-vjeçare e shkelën me këmbë, e çuam në spital”, tha gazetari.
Sipas tij, kemi Parisin me dy fytyra, Parisi festiv dhe Parisi i bandave që vijnë nga emigracioni.
“Dua të kemi Parisin me dy fytyra: Parisi festiv dhe Parisi i këtyre bandave që vijnë nga emigracioni, që nuk asimilohen, që nuk kulturohen dhe që kanë një urrejtje të Francës. Në çdo vend ke të huaj por në Francë janë të huaj të ish-kolonive që kanë një urrejtje të Francës”, u shpreh Burimi.