Rikthimi i Ariana Grande në muzikë nuk ka shkuar aspak siç pritej, pasi kënga e saj më e re “Hate That I Made You Love Me” është përballur me kritika të forta nga fansat në rrjetet sociale.

Këngëtarja 32-vjeçare publikoi projektin si pjesë të albumit të saj të ardhshëm “Petal”, duke shënuar rikthimin në skenën muzikore pas një periudhe të gjatë të fokusuar kryesisht tek aktrimi.

Megjithatë, sipas DailyMail, pritja nga publiku ka qenë shumë më e ftohtë nga sa pritej.

Në rrjetet sociale, shumë ndjekës e kanë cilësuar këngën “të mërzitshme” dhe pa emocion, ndërsa të tjerë janë shprehur të zhgënjyer nga drejtimi i ri artistik i këngëtares.

Disa fansa komentuan se projekti tingëllon “i përgjithshëm” dhe pa identitet të qartë, ndërsa të tjerë e konsideruan një nga publikimet më të dobëta të Ariana Grande deri më tani.

Pavarësisht kritikave, “Hate That I Made You Love Me” shënon nisjen e një epoke të re muzikore për artisten dhe hap albumin e saj të tetë në studio, “Petal”, që pritet të publikohet më 31 korrik.

Ndërkohë, fansat vazhdojnë të mbeten të ndarë mes atyre që mbështesin eksperimentimin e ri muzikor të Ariana-s dhe atyre që kërkojnë rikthimin e stilit që e bëri një nga yjet më të mëdhenj të pop-it.