E ftuar në emisionin “Big Brother Radio” në Top Albania Radio ka qenë mamaja e Angelo Harunit. Ajo ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me rrugëtimin e djalit të saj deri më tani. Përpos kësaj Alba Haruni ka treguar se është një ndjekëse shumë e rregullt dhe nuk e lejon t’i shpëtojë asgjë nga Big Brother.
Rikujtojmë se më 6 Janar, Angelo Haruni rrëfeu për herë të parë në publik jetën e tij personale dhe familjare. Mes lotëve ai tregoi edhe luftën e vëllait të tij me varësinë ndaj heroinës, e cila ka rrezikuar t’i marrë edhe jetën. Atalanta në studio, pyeti mamanë e tij se si e ka përjetuar ajo këtë moment si nënë. Alba u përgjigj duke rrëfyer mes lotësh se:
Kjo ishte frika më e madhe, si do ta përjetonte Dario sepse nuk ishte dhe fort dakord për daljen e Angelos në Big Brother, pavarësisht se vetë kishte kohë që në media të ndryshme “e bërtiste” këtë dramë dhe gjë shumë të rëndë që po i ndodh shoqërisë shqiptare me rininë dhe një vend ku nuk ka një qendër të kujdesit të shëndetit mendor që vijnë si pasoja të traumave të kaluara nga përdorimi i substancave apo dhe alkoolit. Dario i ka folur gjërat madje ka edhe projekte të tijat për t’i referuar në institucionet përkatëse.
Si ka ndikuar kjo traumë tek Angelo por edhe te ata si prindër?
Ka qenë një gjë shumë e vështirë, ku më e vështirë ka qenë edhe të qenurit tabu për të folur për këto çështje. Të mos tregosh të vërtetën në këto rrethana sinqerisht që rrezikohet jeta. Unë kam patur një situatë shumë të rëndë me Darion kohë më parë që më është dashur sinqerisht t’i jap frymë derisa të më vinte ambulanca. Me pulsin 40, i nxirë dhe aty unë hoqa dorë qoftë nga jeta ime, thashë do marr një vendim drastik sepse nuk kisha fuqi që ta shikoja.
Ishte një situatë vërtet shumë e rëndë sepse bashkëshorti im sapo kishte dalë nga spitali nga një aksident dhe ishte akoma dhe më e rëndë që shihja një baba që nuk mundej. Aty u dorëzova, por fatmirësisht pasi Dario u kthye në jetë sepse realisht nuk ishte mirë në spital me trajtimin që u mor, ishte Angelo ai që më tha: Mami sot e tutje do të merrem unë. Gjërat tashmë kanë kaluar dhe me besimin në Zot duhet t’i themi njerëzve që ka zgjidhje dhe ka shpresë.


